22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, na rikthen te një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Kongresi i Manastirit i vitit 1908, shënoi një kthesë vendimtare për gjuhën, arsimin dhe identitetin kombëtar.
Manastiri u bë vendi ku rilindësit shqiptarë bashkuan dijen, vizionin dhe përkushtimin për një qëllim të përbashkët. Vendimi i tyre ishte më shumë se një arritje gjuhësore; ishte një akt largpamësie, uniteti dhe përgjegjësie ndaj brezave që do të vinin.
Gjuha e mishëron identitetin e një populli. Për shqiptarët, mbetet gjithmonë nyjë unifikimi, bartëse e historisë dhe shprehje e pandashme e dinjitetit të popullit. Në Maqedoninë e Veriut, ajo është gjithashtu një urë komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëjetese ndërmjet qytetarëve tanë.
Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetforumes, e vlerësoj këtë ditë si një moment reflektimi mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët për të garantuar barazinë, respektimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor, përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë. Këto janë vlera themelore për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Le të na shërbejë 22 Nëntori si kujtesë se respekti për gjuhën dhe identitetin e njëri-tjetrit është themel i unitetit dhe i së ardhmes sonë të përbashkët.
Urimet më të sinqerta për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.
Gëzuar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!
Me respekt,
Afrim Gashi
Kryetar i Kuvendit të Rapublikës së Maqedonisë së Veriut

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume