Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga një zjarr në garazhin e një ndërtese banimi në Menziken, në kantonin Aargau të Zvicrës, ka shkaktuar panik te banorët të shtunën në mbrëmje. Nga incidenti, një person ka pësuar djegie të shkallës së mesme dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit.

Në mesin e dëshmitarëve të ngjarjes ishte edhe Fadili, 49-vjeçar nga Kosova, i cili për gazetën zvicerane “20 Minuten” ka rrëfyer momentet e frikshme pas shpërthimit, duke i krahasuar ato me përjetimet e tij gjatë Luftës së Kosovës.

Ai ka treguar se ishte kthyer në shtëpi rreth orës 18:30, kur papritur dëgjoi një shpërthim të fuqishëm. Pak çaste më vonë, sipas tij, u dëgjua edhe një shpërthim tjetër, ndërsa tymi nisi të përhapej në ndërtesë dhe arriti deri në katin e tretë, ku jeton ai.

Ajo që e tronditi më së shumti ishin britmat për ndihmë që pasuan shpërthimet.

“Dikush bërtiti për ndihmë tri herë. Ishte e tmerrshme. U ndjeva sikur në Luftën e Kosovës në vitet 1990”, ka rrëfyer Fadili.

49-vjeçari ka përshkruar panikun që kishte përfshirë banorët, të cilët nuk e dinin se çfarë po ndodhte dhe kishin frikë nga shpërthime të tjera. Për këtë arsye, ata u larguan menjëherë nga ndërtesa.

Pas mbërritjes së ekipeve emergjente, një burrë që kishte pësuar djegie të shumta mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua me helikopterin e shpëtimit Rega në spital.

“Ai ishte djegur nga koka te këmbët. Më vjen shumë keq për familjen e tij. Është kaq e tmerrshme”, ka thënë Fadili, i cili ka treguar se kishte biseduar edhe me partneren e të lënduarit për t’i shprehur keqardhjen.

Edhe dëshmitarë të tjerë kanë rrëfyer momentet e frikshme. Një 47-vjeçar ka treguar se ishte përpjekur ta shuante zjarrin, ndërsa një banore 39-vjeçare ka thënë se kishte dëgjuar dy shpërthime të fuqishme, të cilat i kishte përjetuar si tërmet.

Ajo ishte larguar nga banesa pa marrë as xhaketën dhe, për disa orë, nuk kishte mundur të kthehej brenda. Edhe pasi ishte kthyer në shtrat, kishte pasur vështirësi të flinte për shkak të pamjeve që i riktheheshin në mendje.

Ndërkohë, Policia Kantonale e Aargaut ka bërë të ditur se shkaku i saktë i shpërthimit dhe zjarrit ende nuk dihet dhe po hetohet nga specialistët. Sipas autoriteteve, pavarësisht incidentit, në asnjë moment nuk ka pasur rrezik për publikun.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume