Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji ndaj Endrit Azemit, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale mashtrimi.

Sipas dosjes së prokurorisë, për rreth 2 javë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, i ka vënë në lajthitje qytetarët, duke sajuar se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute.

“E më pas përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e njëzet e dy) euro, në rrjetin “GoFound”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit janë grumbulluar shuma prej 26.684.8 (njëzet e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër euro e tetë cent), me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent) duke krijuar dobi pasurore për vete.”

Më këto veprime, Azemi dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.