Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka propozuar vendosjen e një takse të re për individët që zotërojnë pasuri mbi 100 milionë euro. Nisma vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Spanjë dhe synon të sigurojë të ardhura shtesë për financimin e politikave sociale.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Sánchez argumentoi se përqendrimi i pasurisë tek individët më të pasur vijon të rritet, pavarësisht uljes së pabarazive në të ardhura.

“0.1% më të pasurit zotërojnë më shumë se 10% të pasurisë. Dhe pjesa e tyre nuk ka ndaluar së rrituri që nga viti 2010”, shkroi kryeministri spanjoll.

Sipas propozimit, të ardhurat nga kjo taksë do të përdoren për të financuar arsimin e fëmijëve, strehimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Nisma është pjesë e debatit ekonomik dhe politik mes socialistëve të Sanchez-it dhe Partisë Popullore (PP), e cila mbron uljen e taksave për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si dhe për punëtorët e rinj. PP propozon gjithashtu lehtësira fiskale për bizneset që investojnë në teknologji dhe transformim digjital.

Spanja ka aktualisht një taksë solidariteti për pasuritë e mëdha, të vendosur në vitin 2022, e cila zbatohet për pasuritë neto që tejkalojnë 3 milionë euro. Propozimi i ri synon të vendosë një barrë të posaçme fiskale për kategorinë më të pasur të shoqërisë.

Ndërkohë, organizatat e punëdhënësve kanë kundërshtuar përgjithësisht rritjen e taksave mbi pasurinë, duke paralajmëruar se masa të tilla mund të nxisin largimin e sipërmarrësve dhe investitorëve. Propozimi i Sanchez-it pritet të jetë një nga temat e debatit politik në ditët e fundit para zgjedhjeve parlamentare në Spanjë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume