Kush po e ndalon flamurin shqiptar në shkollat dhe çerdhet e Shkupit? Festat e Nëntorit po shoqërohen me polemika!
SHKUP – Festat e Nëntorit, të cilat duhet të jenë ditë feste, krenarie dhe respekti për gjuhën, historinë dhe identitetin kombëtar, po shoqërohen me polemika në disa institucione arsimore në Shkup.
Rastet e fundit ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si trajtohen simbolet kombëtare shqiptare në shkolla dhe çerdhe.
Në një komunikim me prindërit e fëmijëve të një çerdheje, fillimisht është kërkuar që fëmijët të vijnë të premten të veshur me veshje kombëtare dhe të mbajnë flamuj të vegjël shqiptarë gjatë programit festiv. Por, në një mesazh të mëvonshëm, prindërit janë njoftuar se flamujt nuk lejohen të sillen në kopsht.
Kujtojmë se edhe në nëntor të vitit 2025, shkolla “Zhivko Brajkovski” në Butel u përball me reagime publike pasi, sipas raportimeve, drejtoresha kishte ndërprerë aktivitetin e planifikuar për 28 Nëntorin, me arsyetimin se në program përfshihej veshja kombëtare shqiptare e nxënësve.
Të gjitha këto raste shtrojnë një pyetje që nuk mund të mbetet pa përgjigje:
Kush po vendos se kur fëmijët shqiptarë mund të festojnë me flamurin e tyre dhe kur jo?
A bëhet fjalë për vendime individuale të drejtuesve të institucioneve, për udhëzime nga organet kompetente apo për interpretime të ndryshme të rregullave institucionale?
Drejtuesit e shkollave, çerdheve dhe institucionet përgjegjëse duhet të japin sqarime publike. Festimi i identitetit kombëtar nuk duhet të shndërrohet në burim përplasjesh, por as të trajtohet me standarde të ndryshme.
Respekti për të gjithë është i domosdoshëm. Por respekti duhet të jetë i ndërsjellë.
28 Nëntori është festë e shqiptarëve dhe flamuri shqiptar është simbol i identitetit të tyre. Për këtë çështje, prindërit meritojnë përgjigje, ndërsa institucionet kanë detyrim të sqarojnë se çfarë po ndodh.