Maqedonia e Veriut do të vazhdojë reformat për integrimin në Bashkimin Evropian, por nuk do të lejojë që çështjet dypalëshe të bëhen pengesë në këtë proces. Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski para samitit BE-Ballkani Perëndimor që mbahet sot në Bruksel.
Duke folur për ngecjen e procesit të integrimit, Mickoski tha se nuk pajtohet me vlerësimet se Shqipëria dhe Mali i Zi po përparojnë më shpejt se Maqedonia e Veriut.
Ai e krahasoi rrugën e tyre drejt BE-së me një autobus që lëkundet, duke thënë se edhe Maqedonia po zbaton reformat dhe po shënon rezultate në kuadër të Agjendës së Reformave.
Kryeministri nuk deshi të komentojë drejtpërdrejt deklaratën e zyrtarit të Komisionit Evropian për Zgjerimin, Geert Jan Kopman, i cili tha se pengesa për integrimin evropian të Maqedonisë ndodhet në Shkup dhe jo në Bruksel.
Mickoski e cilësoi Kopmanin mik të Maqedonisë dhe tha se Qeveria e vlerëson kontributin e tij në zbatimin e Agjendës së Reformave.