Në seancën e sotme mbikëqyrëse për Alta Banka në Kuvend, deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova, iu drejtua me pyetje konkrete drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Slobodan Ivanoski, duke kërkuar përgjigje nëse institucioni deri më tani ka pranuar çfarëdo kallëzimi apo informacioni lidhur me Alta Banka Beograd dhe marrjen e Stopanska Banka Manastir nga ana e saj.

Panova theksoi se është e rëndësishme që publiku të marrë një pasqyrë të qartë të bazuar në informacione të verifikuara, në vend që rasti të jetë objekt politizimi. Ajo nënvizoi se, pas më shumë se 20 pyetjeve të parashtruara nga deputeti Trajçulevski, pret që institucionet kompetente të japin përgjigje konkrete.

“Është shumë e rëndësishme që këtë çështje të Alta Bankës ta shqyrtojmë përmes fakteve dhe kompetencave reale. Kolegu Trajçulevski parashtroi më shumë se 20 pyetje, ndoshta mjafton që t’i përgjigjeni në mënyrë konkrete pjesës më të madhe të këtyre pyetjeve, por e gjithë kjo me qëllim që opinioni maqedonas ta shohë të vërtetën dhe qytetarët të kenë një pasqyrë të vërtetë dhe të qartë, e cila do të bazohet në informacione të verifikuara, sepse jemi dëshmitarë të politizimit që po ndodh. Unë konsideroj se përgjigjja juaj, përkatësisht ajo që duhet të na përgjigjeni sot, është në fakt nëse Drejtoria e Policisë Financiare, në periudhën nga viti 2023 e deri më sot, ka pranuar çfarëdo kallëzimi, informacioni, njoftimi ose kërkese nga ndonjë institucion tjetër për kontroll të Alta Banka Beograd dhe për marrjen e Stopanska Banka Manastir nga ana e saj”, tha Panova.

Panova rikujtoi se Drejtoria disponon autorizime ligjore për zbatimin e analizave financiare, ndjekjen e rrjedhave financiare, kontrollin e dokumentacionit dhe grumbullimin e të dhënave nga regjistra të ndryshëm dhe sisteme bankare.

“Dhe nëse kjo mund të ketë ndonjë efekt në funksionimin financiar të bankës maqedonase dhe a mendoni se në të ardhmen do të ketë nevojë të përfshiheni, veçanërisht duke pasur parasysh autorizimet tuaja, sepse ju keni, një nga autorizimet është që të bëni edhe analiza financiare ose analiza të rrjedhave financiare, kontroll të dokumentacionit, të kërkoni të dhëna nga regjistra dhe në sisteme të tjera bankare. Përkatësisht, a ka ndonjë kërkesë konkrete drejtuar jush për një veprim të tillë deri më sot?”, pyeti Panova.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume