Mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoni do të përfitojnë një rritje të re të pagave nga marsi i vitit 2027, konfirmoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Ajo bëri të ditur se rritja do të jetë së paku 7,5 për qind, ndërsa mjetet financiare tashmë janë siguruar në buxhetin e shtetit.
“Po realizojmë atë që kemi premtuar”, deklaroi Janevska.
Ministrja foli edhe për riorganizimin e rrjetit shkollor, duke bërë të ditur se deri më tani janë bashkuar 433 paralele.
Mësimdhënësit që do të kenë më pak orë mësimore si pasojë e këtij procesi, do të angazhohen në aktivitete të tjera arsimore, përfshirë punën me nxënësit e talentuar dhe ata që kanë vështirësi në mësim.
Sipas Janevskës, procesi i optimizimit të rrjetit shkollor pritet të përfundojë brenda katër deri në pesë vjetësh.