Pamjet historike të 28 Nëntorit 1997, Kuvendi i Kosovës shfaq videon e daljes së parë publike të UÇK-së
Pamjet historike të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Skenderajt, janë shfaqur në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, rikujtoi këtë moment historik, duke ftuar deputetët dhe të pranishmit të ndjekin pamjet e asaj dite.
Para shfaqjes së videos, Haxhiu foli për ngjarjet e nëntorit të vitit 1997, të cilat i paraprinë daljes së parë publike të UÇK-së.
Ajo theksoi rëndësinë e veçantë që kanë këto ditë për Kosovën, duke ndërlidhur Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rrënjët e saj historike në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu rikujtoi ngjarjet e 25 dhe 26 nëntorit të vitit 1997 në Vojnik të Skenderajt. Sipas saj, forcat serbe ndërmorën aksione kundër pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa më pas u rikthyen me mjete të rënda në përpjekje për t’u hakmarrë ndaj Drenicës.
“Jemi në ditët e rëndësishme, në ditët e nëntorit. Më 25 nëntor të vitit 1997 njësitet e policisë serbe hyn me automjete të blinduara në Vajnik të Skenderajt për ta rrethuar dhe arrestuar Sabejdin Rexhën (Sandokanin). Ndërsa të nesërmen më 26 nëntor forcat serbe u kthyen me mjete të rënda për tu hakmarrë dhe për ta ndëshkuar Drenicën. Në në Rezallë i priste UÇK-ja me komandantin Adem Jasharin, Abedin Rexhën, etj. Forcat serbe hapën zjarr mbi shkollën e Llaushës dhe vranë mësuesin Halit Geci. Për ne 28 Nëntori i vitit 1997 është nëntori i tretë. Pas Krujës më 1443 dhe Vlorës 1912 ajo u shkrua dhe në Llaushë ku mijëra njerëz u mblodhën për ta përcjell mësuesin e tyre. Aty para tyre dolën Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj me uniformën e UÇK-së. Ishte hera e parë që UÇK-ja e cila deri atëherë vepronte në ilegalitet, doli hapur para qytetarëve. Nga varrimi i një mësuesi lindi besimi se liria mund të fitohej”, tha Haxhiu.
Haxhiu kërkon kthimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit u ndal edhe te ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.
Ajo kërkoi që drejtësia të vihet në vend dhe ata të kthehen sa më parë në Kosovë.
Në përfundim të fjalës së saj, në kujtim të ngjarjeve historike të nëntorit, Haxhiu ftoi deputetët dhe të pranishmit të ndjekin videon me pamje nga dalja e parë publike e UÇK-së në Llaushë.