Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, së bashku
me Elena Ivanovskën, zyrtare të kabinetit për ndjekjen e prioriteteve strategjike të
Qeverisë, zhvilloi një takim pune me Dario Ligutin, drejtor i Divizionit për Energjetikë,
Strehim dhe Menaxhim të Tokës (EHLMD), dhe Oleg Zubinskin, këshilltar rajonal për
energjetikë pranë Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën
(UNECE).
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Ministrisë dhe UNECE-së,
veçanërisht në organizimin e Forumit të Parë për Diplomacinë Energjetike në Shkup.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për të vazhduar dhe thelluar
partneritetin, me fokus te energjia e qëndrueshme, tranzicioni energjetik dhe forcimi i
rolit të grave në sektorin energjetik.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të Rrjetit të Grave
në Diplomacinë Energjetike, një iniciativë e themeluar në kuadër të Forumit. Ministria
dhe UNECE do të punojnë për të nxitur institucionet dhe organizatat e drejtuara nga
gratë që t’i bashkohen Rrjetit, me synim rritjen e përfaqësimit të grave, forcimin e
lidershipit të tyre dhe pjesëmarrjen aktive në hartimin dhe zbatimin e politikave
energjetike.
Në takim u konfirmua gjithashtu gatishmëria e UNECE-së për të vazhduar mbështetjen
profesionale dhe institucionale për vendin në disa fusha prioritare, përfshirë efikasitetin
energjetik, burimet e ripërtëritshme të energjisë, elektrifikimin, tranzicionin e drejtë
energjetik, uljen e emetimeve të metanit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve.
Thellimi i partneritetit me UNECE-në është i rëndësishëm për avancimin e politikave
kombëtare energjetike, zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe shfrytëzimin e
mbështetjes së ekspertëve në procesin e tranzicionit energjetik. Njëkohësisht, përmes
Rrjetit të Grave në Diplomacinë Energjetike krijohen mundësi për bashkëpunim më të
ngushtë rajonal dhe për një rol më të madh të grave në formësimin e së ardhmes së
sektorit energjetik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume