Drejtori I FECH, Blendi Hodai ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili një ditë më parë në Kuvend pretendoi se Kushtetuta nuk e lejon arsimin e lartë në gjuhën shqipe, ndërsa ligjet që e mundësojnë atë i cilësoi si një “implant” në sistemin juridik të shtetit.

Hodai, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit, i ka rikujtuar disa nene të Kushtetutës, përmes të cilave argumenton se arsimi i lartë në gjuhën shqipe nuk është i ndaluar.

Ai i është referuar nenit 48 të Kushtetutës, të ndryshuar me Amendamentin VIII, nenit 44 që garanton qasje të barabartë në arsim për të gjithë qytetarët, si dhe nenit 46, i cili ia lë ligjit rregullimin e veprimtarisë së universiteteve.

Hodai gjithashtu ka përmendur Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, konkretisht pikën 6.2, e cila parasheh financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhën shqipe.

“Arsimi në gjuhën shqipe nuk është favor që na e ka bërë dikush dje, e që mund të na e tërheqë dikush nesër”, ka shkruar Hodai.

Në reagimin e tij, studenti i ka kërkuar Mickoskit që të tregojë nenin konkret të Kushtetutës që ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe.

“Kryeministër, na tregoni nenin që e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Jo nenin që nuk e përmend, por nenin që e ndalon”, përfundon reagimi i Blendi Hodait.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume