Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u takua sot në Ohër me Aleksandar Çupiq, ushtrues detyre i presidentit të Serbisë, në margjinat e takimit të liderëve të Procesit Bërdo-Brioni.
Siljanovska-Davkova ia uroi fitoren zgjedhore dhe zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit Popullor të Serbisë, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet maqedonaso-serbe do të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e miqësisë tradicionale, me bashkëpunim më të madh në arsim, shkencë, ekonomi, kulturë, turizëm dhe digjitalizim.
Çupiq e vlerësoi takimin e liderëve në Ohër si një mesazh për rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe mbështeti idenë që të rinjtë të përfshihen në takimet e Procesit Bërdo-Brioni.
Në konferencën e përbashkët për media, ai theksoi se rajoni ka nevojë për solidaritet, demokraci, bashkëpunim dhe përparim, por edhe për detyrimin që të mbrojë interesat kombëtare dhe dinjitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Çupiq kujtoi personalitete të rëndësishme historike që rrjedhin nga Ballkani, ndër ta Goce Dellçev, Petar Petroviq Njegosh, France Preshern, Ivo Andriq, Mesha Selimoviq, Miroslav Kërlezha dhe Ismail Kadare.
Ai përmendi gjithashtu shkencëtarët Nikola Tesla, Mihajllo Pupin dhe Rugjer Boshkoviq, si dhe sportistë e artistë që kanë arritur sukses botëror.
Sipas tij, Ballkani ka shumë për t’i ofruar vetvetes, por edhe Evropës dhe botës, ndërsa është e nevojshme të ruhen marrëdhëniet pozitive dhe të përmirësohen fushat ku ekziston hapësirë për përparim.
“Ekziston një nevojë e qartë për të bashkëpunuar, për të përparuar dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për pasardhësit tanë. Po ashtu, ekziston një detyrim i qartë ndaj qytetarëve tanë për t’i mbrojtur interesat vitale shtetërore dhe kombëtare dhe për ta ruajtur dinjitetin tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Çupiq.