Në qoftë se vërtet s’ka pasur ligj dhe paska pasur nevojë këta të sjellin diçka më të madhe, pse nuk e patën në platformën e tyre? Në qoftë se gjuha shqipe nuk qenka gjuhë zyrtare dhe nuk ka ligj që zyrtarizon gjuhën shqipe, pse nuk e patën në programin parazgjedhor miratimin e një ligji për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe? Ose në qoftë se jo në programin parazgjedhor, pse nuk e përfshinë në programin qeveritar? E dini që edhe nga ato pak pika që kanë në platformën e VLEN-it, asnjë prej tyre nuk është pjesë e programit qeveritar. Dhe prandaj sot ne themi që nuk po bashkëqeveris VLEN-i me VMRO-DPMNE-në, por po qeveris VMRO-DPMNE-ja, sepse programi i qeverisë është programi “Makedonia Povtorno Tvoja” e VMRO-DPMNE-së, kryekëput dhe nuk ka asnjë pikë nga programi i VLEN-it. Ajo që po bën VLEN-i tani, fatkeqësisht, është mjegullimi i opinionit, mashtrimi, tentimi për mashtrim i shqiptarëve, sepse nuk do të arrijnë të mashtrojnë shqiptarët aq më shumë opozitën. Prandaj ne nuk është që vetëm i kemi kritikuar. Këtu do të kemi kritikë edhe ndaj opozitës, sepse po dalin realisht tek ajo thirrje që ka bërë edhe kryetari jonë zoti Ziadin Sela. Sot, më shumë se kurrë, urgjentisht vendit i duhet apo skenës politike shqiptare i duhet tryeza e përbashkët e partive politike shqiptare, ku do të dalim me disa pika, të cilat do të jenë të pakapërcyeshme nga asnjë parti tjetër politike dhe fatkeqësisht nuk kemi përgjigje ende as nga opozita. Këtu do të duhet… A është ngritur iniciativa? Është ngritur, zoti Sela ka kërkuar si iniciator i parë, si nismëtar, po dhe ju ka bërë thirrje, për të evituar edhe inatet politike dhe ato sedrat se kush është më i madh dhe kush duhet ta ftojë, zoti Sela ua ka hapur rrugën edhe zotit Ahmeti, edhe zotit Kasami, edhe zotit Mexhiti, partitë me numër më të madh të deputetëve. Le të marrin iniciativën dhe ne do t’u përgjigjemi dhe qe tani e kanë përgjigjen pozitive për t’u ulur në atë tryezë.

– Arben Zeqiri, Zëdhënës i Lidhjes Shqiptare

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume