Shtetet e Bashkuara po përballen me një situatë të vështirë atmosferike, ndërsa pasojat e stuhive që goditën Bregun Lindor gjatë festës së Falënderimeve vijojnë të jenë të ndjeshme. Përmbytjet, erërat e fuqishme dhe dëmtimet në rrjetin elektrik kanë shkaktuar probleme në disa shtete, ndërsa një tjetër sistem stuhish pritet të përfshijë vendin.

Mbi 160 mijë banesa mbetën pa energji elektrike. Erërat, që në disa zona arritën shpejtësinë 113 kilometra në orë, rrëzuan pemë, dëmtuan prona dhe linja elektrike.

Probleme të shumta u shkaktuan edhe nga reshjet intensive dhe baticat e pazakonta. Në New Jersey, niveli i ujit arriti në 2.87 metra, duke shënuar një rekord për zonën, ndërsa në Atlantic City u regjistrua niveli më i lartë që prej uraganit Sandy, në vitin 2012.

Në disa zona të Virxhinias lindore dhe Karolinës së Veriut ranë deri në 127 milimetra shi, ndërsa në Emerald Isle sasia arriti në 229 milimetra.

Për shkak të situatës, guvernatorja e Virxhinias, Abigail Spanberger, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet vijojnë koordinimin me shërbimet e emergjencës dhe kompanitë energjetike për rikthimin e energjisë elektrike dhe riparimin e dëmeve.

Ndërkohë, një tjetër sistem atmosferik pritet të sjellë reshje të dendura dhe stuhi me bubullima në rajonin Midwest këtë të diel, përpara se të zhvendoset drejt Bregut Lindor të hënën. Parashikimet për përkeqësim të mëtejshëm të motit kanë shtuar shqetësimet për përmbytje të reja, duke mbajtur në gatishmëri autoritetet në disa rajone të vendit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume