“Lajm fantastik!”/ Trump reagon pas humbjes së Pedro Sánchez në zgjedhjet në Spanjë: Ka bërë një punë të tmerrshme, e meriton të humbasë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përshëndetur humbjen e kryeministrit socialist Pedro Sánchez në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara këtë të diel në Spanjë, duke e cilësuar rezultatin si një lajm të shkëlqyer.
Sipas gazetës spanjolle “El País”, Trump reagoi pak pasi u njoh me rezultatet e zgjedhjeve, teksa një gazetare e informoi për humbjen e liderit socialist.
“Sánchez ka humbur”, i tha gazetarja presidentit amerikan.
“Ka humbur? Oh, kjo është një gjë e mirë. Ka bërë një punë të tmerrshme, e meriton të humbasë. Është një lajm i shkëlqyer”, u përgjigj Trump.
Marrëdhëniet mes presidentit amerikan dhe kryeministrit spanjoll janë karakterizuar gjatë dy viteve të fundit nga tensione të vazhdueshme, veçanërisht për çështje që lidhen me emigracionin, shpenzimet për mbrojtjen dhe tarifat doganore.
Sánchez ka qenë ndër liderët europianë që kanë kundërshtuar më hapur disa prej politikave të administratës republikane, ndërsa Trump e ka kritikuar në disa raste me tone të ashpra.
Dy politikanët kanë qenë njëkohësisht në pushtet edhe gjatë viteve të fundit të mandatit të parë presidencial të Trump, nga qershori i vitit 2018 deri në janar të vitit 2021. Megjithëse edhe gjatë asaj periudhe kishte mosmarrëveshje për taksimin e kompanive teknologjike dhe shpenzimet ushtarake, marrëdhëniet mes dy vendeve ishin më të qeta krahasuar me mandatin e dytë të presidentit amerikan.
Një nga përplasjet më të forta mes Trump dhe Sánchez lidhej me kërkesën e presidentit amerikan që Spanja të rriste shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një angazhim që u pranua nga aleatët e tjerë të NATO-s në samitin e Hagës në vitin 2025, por që nuk u nënshkrua nga qeveria socialiste spanjolle.
Sipas “El País”, rezultati zgjedhor i Partisë Popullore të Alberto Núñez Feijóo dhe i partisë së ekstremit të djathtë Vox, të drejtuar nga Santiago Abascal, një aleat i hershëm i Trump, hap një skenar të ri për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Madridit.