Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sot realizoi takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Ekselencën e tij, z. Dirk Jan Kop. Ministri Lloga falënderoi Ambasadorin Jan Kop për bashkëpunimin intensiv dhe përkushtimin në agjendën evropiane për reforma, si dhe ndihmën e dhënë nëpërmjet projekteve të finansuara nga Holanda e të cilat kanë të bëjnë me kualitetin dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fuqizimin e llogaridhënies, efikasitetin dhe transparencën e Këshillit Gjyqësor, mbështetjen e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, sundimin e së drejtës, lirinë e medieve dhe masat e mbrojtjes kundër korrupsionit. Në takim u bisedua për finalizimin e përpunimit të Strategjisë së re për reforma në sektorin e gjyqësisë 2023-2027, përgatitja e Kodit Penal të ri, skriningun, si dhe fuqizimin e kapaciteteve për udhëheqjen e negociatave në Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore “.

Ambasadori Jan Kop shprehu interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri zgjedhor. Ministri Lloga informoi se grupi punues nuk mund të fillojë me punë për shkak të faktit se VMRO-DPMNE nuk propozon një anëtar të vetë edhe pas shumë kërkesave për nominim të një përfaqësuesi nga ana e tyre. Lidhur me paralajmërimin për fillim të vetingut, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha se ky process nuk mund të realizohet nëse nuk ka përkrahje nga SHBA dhe BE. Ambasadori Dirk Jan Kop i dëshiroi Llogës sukses në kryerjen e funksionit ministror dhe porositi se Holanda në të ardhmen do të realizojë projekte në fushën e gjyqësisë duke dhënë mbështetje në sistemin e burgjeve, Prokurorinë Publike, Këshillin Gjyqësor, si dhe aplikimin më të madh të ndërmjetësimit në vendin tonë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume