Tottenham Hotspuri vazhdon ta ketë një klauzolë që mund t’i ndihmojë për ta rikthyer Harry Kane, pavarësisht kontratës së re dhe shumë fitimprurëse që sulmuesi anglez ka nënshkruar me Bayern Munichun, raporton “The Telegraph”.

Pas vazhdimit të kontratës me Bayernin deri në vitin 2029, Kane raportohet se është bërë futbollisti më i paguar në Evropë.

Raportimet e mëhershme bënin të ditur se paga e tij bazë e garantuar arrin rreth 400 mijë funte në javë.

Megjithatë, marrëveshja e re nuk i ka shuar shpresat e Tottenhamit për ta ribashkuar me ish-kapitenin e tij.

Kur Kane u transferua te Bayern Munichu në verën e vitit 2023, Tottenhami kishte negociuar një klauzolë të quajtur “e drejta e përparësisë për të barazuar ofertën”.

Kjo klauzolë i mundëson klubit londinez të barazojë çdo ofertë që një klub tjetër mund ta paraqesë për sulmuesin anglez.

Marrëveshja mbetet në fuqi gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij te Bayerni, përfshirë edhe rastet kur ai nënshkruan vazhdime të tjera të kontratës.

Megjithatë, kjo klauzolë mund të aktivizohet vetëm nëse Bayerni vendos ta shesë Kane dhe vetë futbollisti është i hapur për një rikthim te Tottenhami.

Nuk ekziston një shumë e paracaktuar për transferimin e tij.

Nëse një klub tjetër arrin marrëveshje me Bayernin, Tottenhami mund të paraqesë të njëjtën ofertë dhe të tentojë ta rikthejë sulmuesin në Londër.

Sipas “The Telegraph”, Tottenhami do ta shfrytëzonte çdo mundësi financiarisht të përballueshme për ta rikthyer golashënuesin më të mirë në historinë e klubit.

Megjithatë, Kane aktualisht nuk po e shqyrton mundësinë e rikthimit. 33-vjeçari mbetet i përqendruar te e ardhmja e tij në Bayern Munich, ku synon të fitojë edhe shumë trofe të rëndësishëm.

Kane iu bashkua Bayernit në vitin 2023 për rreth 95 milionë euro, pas plot 13 vjetësh të kaluara te Tottenhami.

Ai realizoi 280 gola për klubin londinez, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e tij.

Edhe te Bayerni, sulmuesi anglez ka regjistruar statistika mbresëlënëse, ndërsa fitimi i Topit të Artë javën e kaluar ishte kulmi i arritjeve të tij.

Megjithatë, marrëveshjet mes klubeve vazhdojnë ta lënë paksa të hapur mundësinë e një rikthimi të Kane në Tottenham.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume