Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dje përmes rrjetit social facebook shkruan që çdo mërgimtar e ka mundësinë e përfitimit 1 milion euro nga shteti nëse investon në Maqedoninë e Veriut. Ai gjithashtu në fjalimin e tij në Bogovinë mes tjerash tha se mundi dhe sakrifica e mërgimtarëve tanë të kthehet në vendin e tyre.

“Çdo investim i cili ndodh nga një mërgimtarë në Maqedoninë e Veriut do të mbeshtetet deri në 1 milion euro mjete të pakthyeshme nga Qeveria, me qëllim që mundi dhe sakrifica e tyre të kthehet në vendin e vet”, deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në hapjen solemne të fabrikës për prodhimin e telave dhe tubave të bakrit të kompanisë Multipark Izairi në Kamjan të komunës së Bogovinës.

Bekteshi theksoi se me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja por jo vetëm nga kompani të cilat kanë pronësi të huaj por edhe nga bashkëvendasit tanë të cilët jetojnë jasht shtetit.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, Fatmir Bytyqi tha se Qeveria përmes politikave ekonomike efikase është e fokusuar të krijojë një mjedis të qëndrueshëm ekonomik, siç dëshmohet nga suksesi i kësaj kompanie me të cilën Qeveria ka partneritet që në fillimet e saj.

“Mbështetja e Qeverisë, e cila e mbështet këtë kompani përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, është tregues i politikave të suksesshme ekonomike të vendit, dhe krijon një klimë të volitshme për kompanitë, duke i stimuluar ato të hyjnë në cikle të reja investimi. Marrëveshjen për ndihmë financiare investive Multipark Izairi e ka nënshkruar në vitin 2021 dhe vetëm për ciklin investues të atij viti kompania ka marrë ndihmë financiare shtetërore prej 47 milionë denarë, e cila do të vazhdojë deri në përfundim të projektit të tyre”, tha Bytyqi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume