Të premten e kaluar në Sallën e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, u shfaq premiera e filmit të gjatë dokumentar “A jam emigrant apo..?!” me skenar dhe regji nga Prof. Dr. Senad Abduli, e realizuar nga shtëpia filmike “Arnel Production”.
Kjo qe në ngjarje e veçantë për Universitetin e Tetovës dhe për Fakultetin e arteve në këtë universitet ku morën pjesë personalitete nga vendi dhe jashtë.
Premierën e këtij filmi dokumentar e përcolli edhe mërgimtari z.Isa Fazlija,që është edhe protagonist i këtij filmi e ku nëpërmjet rrëfimit të vetë tregon për së afërmi peripecitë fillestare të një migranti, pastaj inkuadrimin e tij në shoqërinë Zvicrane, afrimin e tij me pjesëtarë të ndryshëm të komuniteteve fetare dhe si temë kulmore shohim ndeshjen futbollistike tani më tradicionale në mes imamëve dhe priftërinjëve të Zvicrës.
Ngjarja e filmit dokumentar është një përpjekje e madhe e regjisorit dhe skenaristit Prof. Dr. Senad Abduli si dhe aktorëve në rringjallje të jetës kulturore të Tetovës, por dhe mbarë shoqërisë shqiptare në tërësi.
