Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga njësia speciale e Serbisë.

Krasniqi ka thënë se kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të policisë së Serbisë. Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm te policëve te rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

“Po ashtu, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume