Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, ka reaguar, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko.

Ai nëpërmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë. Sipas tij, bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës.

Ai gjithashtu njofton se, ka vendosur që secilin aktivitet në strukturat partiake t’i ngrijë deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë.

Statusi i plotë:

Që nga Presidenti Uillson e deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë dhe bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës.

Mbështetjen vijuese amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës e mirëpres dhe e përkrah gjithmonë.

Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qënë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera.

Për këtë, në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë.

Për fund dua të falenderoj secilin qytetar për mbështetjen ndër vite por dhe mbështetjen të cilën nuk e kanë kursyer dhe këto ditë të cilët jam i bindur se bashkërisht do i kalojmë, në funksion të krijimit të kushteve për një jetë sa më të mirë të qytetarëve të Strugës dhe jo vetëm, për Strugën që e duam.