Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u takua me Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melani Xholi, në kuadër të Samitit të NATO-s, në Vilnius të Lituanisë.

Duke përshëndetur zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, Osmani në veçanti theksoi Deklaratën e Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve, si potencial i rëndësishëm dhe një bazë solide për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kanadasë në kuadër të Aleancës, me theks të veçantë në pjesëmarrjen tonë në Praninë e Shtuar në Letoni, si pjesë e kontingjentit slloven, ku Kanadaja është kombi kornizë. Në këtë mënyrë, të dy vendet së bashku me aleatët e tjerë kontribuojnë në forcimin e krahut lindor të Aleancës, në një kohë kur ai është më i nevojshëm.

“Bashkëpunimi me Kanadanë, në kuadër të NATO-s, e veçanërisht në grupet luftarake shumëkombëshe, flet për kontributin tonë aktiv në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme transatlantike, e cila është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e ri gjeopolitik”, theksoi Osmani.

Në takim u diskutua edhe për sfidat e shumta pas agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, si dhe për çështjet dhe situatat aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, u riafirmua mbështetja për integrimet europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si segment i rëndësishëm i orientimit të përgjithshëm europian dhe euroatlantik të të gjithë rajonit.

Osmani informoi për aktivitetet në kuadër të kryesimit tonë me OSBE-në, si dhe për rolin dhe mekanizmat e Organizatës në drejtim të ballafaqimit me sfidat dhe ruajtjen e sigurisë, me ç’rast u shpreh përkrahja e Kanadasë për udhëheqjen politike dhe aktivitetet në kuadër të kryesimit të vendit me Organizatën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume