Nga sektori i martesave pranë komunës Dibër konfirmojnë se këtë vit është shënuar rritje e numrit të kurorëzimeve.

“Gjatë shtatë muajve të kaluar të këtij viti janë regjistruar 75 kurorëzime, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kishim 48 kurorëzime. Kjo gjithsesi edhe për shkak të faktit që një pjesë e mirë e kurbetçarëve të cilët qëndrojnë në vendlindje vendosin të kurorëzohen këtu në zyrën tonë e cila funskionon në ndërtesën komunale”, tha Afërdita Shahini nga sektori i kurorëzimeve pranë komunës Dibër.

Sipas saj, numri më i madh i kurorëzimeve janë nga të rinjtë të cilët jetojnë në ndonjë vend të BE-së, kryesisht në Itali, Zvicër, Gjermani, ndërsa kanë origjinë nga Dibra.

“Kur flasim për kurorëzime në komunën Dibër duhet të theksojmë se banorët e fshatrave Xhepishtë dhe Otishan kanë zyrë në Drejtorinë e Evidencës Amë ku mund të lidhin kurorë. Aty janë regjistruar nëntë kurorëzime këtë vit, sepse të rinjtë nga këta dy fshatra më shpesh këtë e bëjnë në Dibër”, thekson Shahini.

Për shkak të migrimit masiv, disa vite me radhë numri i martesave nuk mund të krahasohet me martesat e mëparshme. Nëse para më shumë se një dekade kishte rreth 300 kurorëzime në vit, tani mesatarisht ka nga 100 kurorëzime.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume