Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi sot se ka «shenja» se armiqtë e Izraelit mund të kryejnë sulme në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit.

«Kemi të dhëna sipas të cilave, përpara zgjedhjeve, armiqtë tanë do të përpiqen të na sulmojnë», tha kryeministri izraelit në një video të xhiruar në një bazë ajrore dhe të publikuar sot nga zyra e tij. «Po ju drejtohem me këtë mesazh: mos u përballni me ne, as tani dhe asnjëherë. Ne mund t’ju godasim kudo dhe në çdo kohë», paralajmëroi ai.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kërcënoi se do të godasë drejtuesit e Hamasit palestinez që ndodhen jashtë Rripit të Gazës.

Gjatë javëve të fundit, Netanyahu dhe Katz kanë paralajmëruar disa herë Iranin, Hezbollah-un libanez, por edhe Autoritetin Palestinez, se do të përballen me kundërpërgjigje nëse ndodh një sulm ndaj Izraelit.

Pas publikimit të mesazhit të kryeministrit izraelit, lideri i opozitës, Yair Lapid, kontaktoi me zyrën e Netanyahut për të kërkuar informacion. «Po përpiqem të kuptoj nëse kërcënimet janë reale dhe, nëse janë të tilla, si po përgatitet këtë herë kryeministri për të garantuar që zgjedhjet të zhvillohen pa probleme», shkroi ai në një postim në platformën X.

Në përgjigje, zyra e Netanyahut deklaroi se i kishte ngarkuar sekretarin e tij ushtarak që ta informonte liderin e opozitës për zhvillimet e fundit.

Opozita e akuzon shpesh Netanyahun për dështimin e shërbimeve të sigurisë për të parandaluar ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur Hamasi ndërmori një sulm në territorin izraelit, duke vrarë rreth 1 200 njerëz.

Zgjedhjet parlamentare janë planifikuar të zhvillohen më 27 tetor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume