Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë informon se dje në mesditë ekipi gazetaresk i TV Koha është penguar të kryejë punën e tij profesionale në lidhje me zjarrin që po vazhdon për të dytën ditë me radhë në komunën e Bërvenicës. Nga SHGM thonë se ekipi ka mbërritur në vendin ku është dashur të filmojë video insertet dhe pas disa minutash xhirime është shfaqur një person me rroba civile i cili është sjellë në mënyrë agresive dhe me të bërtitura, fyerje dhe kërcënime i ka ndaluar të filmojnë. Ai gjithashtu është përpjekur t’i largojë ata nga vendi i ngjarjes.

SHGM edhe sot ka marrë një reagim nga disa kolegë gazetarë dhe punonjës mediatik të cilët gjatë kësaj dite janë penguar të kryejnë punën e tyre profesionale në një hapësirë ​​publike.

“Gjatë ditës së sotme, ekipe televizive të disa mediave dhe korrespondentë nga rajoni i Pollogut tentuan të regjistrojnë sërish video nga vendi i ngjarjes, por sërish i njëjti person me një ton agresiv dhe të ashpër iu drejtua gazetarëve, madje edhe i kërcënoi fizikisht pavarësisht pranisë së policisë”.
“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e dënon këtë incident dhe do ta ndjekë rastin. Po ashtu kërkojmë reagim nga komuna e Bërvenicës, e cila deponinë e specifikuar ia ka dhënë me koncesion një pronari privat. Gjithashtu kërkojmë nga MPB-ja që të marrë masa konkrete ndaj personit, në mënyrë që në të ardhmen të mos pengohet e drejta e gazetarëve për punë dhe e drejta e qytetarëve për informim”.

“Duam të theksojmë qartë se qëndrimi ndaj gazetarëve dhe mediave që punojnë në terren është i një rëndësie jetike për lirinë e informimit dhe të shprehjes në një shoqëri demokratike. Dhuna dhe pengimi i gazetarëve për të kryer detyrën e tyre profesionale është i papranueshëm, nuk është në përputhje me vlerat demokratike dhe kontribuon në censurë”, thonë nga SHGM.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume