Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili ka folur pas takimit që sot ka pasur në Prishtinë me kryeministrin Albin Kuti, ka theksuar se ngjarjet e 24 shtatorit tregojnë nevojën emergjente për de-eskalim dhe për normalizim të raporteve.

Lajcak ka thënë se çdo vonesë apo kusht në këtë synim është i papranueshëm, duke shtuar se presin nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin obligimet e tyre që dalin nga marrëveshjet. Emisari sllovak ka thënë se ngjarjet e 24 shtatorit nuk hedhin poshtë obligimet e palëve dhe as nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në pjesën e parë të vitit.

“Ngjarjet e 24 shtatorit theksojnë qartë që de-eskalimi normalizimi është i nevojshëm se kurrë. Çdo vonesë apo kusht është i papranueshëm. Presim që Kosova dhe Serbia të miratojnë obligimet e dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e zhbëjnë këtë dhe as nuk e ndryshojnë faktin që Kosova dhe Serbia kanë bërë marrëveshje më herët gjatë vitit”, ka thënë emisari i BE-së.
Ish-kryediplomati sllovak i rrethuar nga kolegët e tij evropian e amerikan ka thënë se kryeministri Albin Kurti si kryeministër i Kosovës ka përgjegjësinë për të bërë progres në normalizimin e raporteve me Serbinë nëse Kosova dëshiron progres në rrugën drejt BE-së, duke theksuar këtu nevojën për themelimin e Asociacionit pa vonesë.

Pa Asociacion nuk ka progres në rrugën drejt Evropës ka thënë Lajcak.

“Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka përgjegjësi për të bërë progres në normalizim të raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt BE-së dhe këtu kemi theksuar nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit pa vonesë. Pa këtë s’do të ketë progres në rrugën evropiane të Kosovës”, ka shtuar tutje ai.

“Vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar bisedat tona së shpejti”, ka potencuar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Gjatë kësaj vizite vetë Lajcak ka konfirmuar që kanë sjellë një plan të ri në Kosovë, gjë që është konfirmuar edhe nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Të njejtin plan emisarët do t’ia tregojnë edhe presidentit serb, Aleksander Vucic, gjatë qëndrimit të tyre në Beograd.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume