Siç u bë e ditur, në burgun e Idrizovës nga ana e policisë brutalisht janë rrahur rreth 50 të burgosur. Ndonëse motivet e vërteta akoma nuk dihen, pamjet që u publikuan për opinion tregojnë se këta të burgosur u trajtuan në mënyrën më çnjerëzore. Këtë konstatim mbase akoma më shumë e përforcon sjellja e tyre në spitalin shtetëror ku po marrin ndihmën e parë., njoftojnë nga Lëvizja Demokratike.

“Organet shtetërore, të cilat kanë manifestuar këtë brutalitet, duhet ta dinë se edhe të burgosurit kanë të drejtat e tyre të përcaktuara me ligj dhe se edhe ata janë qenie njerëzore.

Derisa Ali Ahmeti, Artan Grubi e krenar Llloga me mish e me shpirt angazhohen t’ua falin veprat ish funksionarëve të korruptuar e kriminalizuar, derisa duke qenë “i burgosur”, Mijallkovi i bën dasmë milionëshe djalit të tij, derisa u bëjnë presione gjykatësve për t’i liruar pushtetarët e akuzuar, derisa bëjnë përpjekje për t’i liruar terroristët e ngjarjeve të 27 prillit, ku më së rëndi e pësoi Zijadin Sela, derisa nuk dëgjohet asnjë fjalë për shqiptarët që vuajnë dënime për shkak të rasteve të montuara, derisa konfliktet e armatosura po ndodhin në vende publike, duke rrezikuar jetët e qytetarëve, pushteti aktual fuqinë e tregon me njësinë speciale, e cila brutalisht rrah të burgosurit”, theksojnë nga LD.

Siç theksojnë nga LD, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme duhet të japin sqarim për opinion, sepse me vet faktin se në spital kanë përfunduar rreth 50 të burgosur flet se diçka e madhe ka ndodhur.

“Gjithashtu sqarimi duhet të jetë adekuat dhe argumentuar, sepse në opinion qarkullojnë versione të ndryshme rreth kësaj ngjarje, e cila megjithatë, ka mund të ketë një epilog tjetër me më pak pasoja. Nëse, siç thuhet nga ana e policisë, janë gjetur aq shumë gjëra të ndaluara në Burgun e Idrizovës, atëherë kjo fakton se drejtuesit e këtij institucioni ndëshkues duhet të japin llogari para organeve përkatëse”, thonë nga LD.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume