Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar një video që u shpërndah në rrjetet sociale, ku komandanti legjendar, Adem Jashari, iu kishte uruar Vitin e Ri disa shokëve të tij.

Urimi kishte ndodhur për vitin 1996. Për këtë ka shkruar Lladrovci, duke e cilësuar si mrekulli çlirimi e pavarësia e Kosovës.

”Sot, në rrjetet sociale, është mesazhi i Komandantit legjendar Adem Jashari, me rastin e Vitit të Ri 1996, për disa nga shokët e përkushtuar e të zotuar për të ecur rrugës së çlirimit me çdo çmim. Historia jonë e re, pati fillim që mund të quhej mrekulli të cilën bota dhe disa shkurtpamës nuk mund ta besonin se Komandanti legjendar me UÇK-në mund ta shporrnin një armatë të fuqishme si ajo e Serbisë”, ka shkruar ai.
Më tutje, Lladrovci tha se si respekt për Adem Jashari sot në sheshin ”Fehmi e Xhevë Lladrovci” është shtatorja e Adem Jasharit.

”Mrekullia ndodhi, e ne sot, jemi shtet i pavarur dhe me krenari i kujtojmë ato ditë, i kujtojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë, kujtojmë Komandantin tonë legjendar, Adem Jasharin dhe të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë”.

”Prandaj, sot, në Sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci, ndodhet shtatorja e Komandantit legjendar Adem Jasharit, Hamzës dhe Bacit Shaban si mesazh për gjeneratat se vepra e tyre është e përjetshme dhe ne jemi krenar që jetuam në këtë epokë”, ka shkruar Lladrovci.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume