CIVIL – Qendra për Liri, si organizatë për të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe redaksia e CIVIL MEDIA, e dënojnë ashpër aktin e drejtorit të Kanalit 5, Ivan Mirçevski, i cili hyri në program, në emisionin “Vetëm e vërteta” dhe me shprehje të drejtpërdrejta të ashpra e dëboi nga studio të ftuarin Ismet Ramadani, intelektual i shquar, ish-deputet dhe këshilltar aktual në qeveri dhe personi i parë në Këshillin Euroatlantik.

Mirçevski, me këtë akt tregoi nënvlerësim të skajshëm ndaj lirive të mediave, dhe mungesë të plotë të kapacitetit profesional dhe moral. Me sjelljen e paqytetëruar dhe me dëbimin e të ftuarit nga studio, para syve të gjithë publikut, drejtori i televizionit ka cenuar drejtpërdrejt standardet etike dhe profesionale dhe lirinë e shprehjes.

Njëkohësisht, me veprimin e tij, drejtori i televizionit ka shkelur Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe ka shkelur rëndë të drejtën e njeriut për lirinë e fjalës, duke ia pamundësuar të ftuarit paraprakisht nga televizioni, të shprehë mendimin e tij.

Kjo është krejtësisht e papranueshme!

Përgjegjësi ka edhe gazetari – drejtuesi i emisionit duke i mundësuar vullnetarisht dhe me miratim drejtorit të marrë situatën në dorë dhe ta përjashtojë të ftuarin nga emisioni i tij.

Kjo ngjarje fatkeqe është rast që sërish t’u bëhet thirrje gazetarëve, të mos i nënshtrohen presionit të atyre që veprojnë nga pozita e pushtetit dhe i shkelin të drejtat dhe liritë e njeriut.

Për këtë veprim, dhe praktika të ngjashme, duhet të mbahet përgjegjësi. Më e pakta që duhet të ndodhë tani, është që i ftuari Ramadani, por edhe i gjithë publiku, të pranojë falje nga redaksia e emisionit dhe nga Kanal 5, ndërsa drejtori të japë dorëheqje.

Rikujtojmë opinionin se ky akt i Mirçevskit do të ndikojë edhe në vlerësimet e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe liritë e mediave.

Institucionet, organet rregulluese dhe vetërregulluese kanë detyrimin dhe mandatin që ta dënojnë në mënyrën më të ashpër këtë sjellje dhe ta sanksionojnë.

CIVILi i bën thirrje publikut që me vendosmëri dhe ashpërsi të dënojë të gjithë ata që tentojnë të shkaktojnë polarizim dhe tensione ndëretnike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume