Sofía Vergara është kthyer në vendlindjen e saj, Kolumbi, për të parë nga afër statujën gjigante që i kushtohet asaj në qytetin e Barranquilla. Edhe pse skulptura prej bronzi u inaugurua në korrik të vitit 2025, aktorja e pa për herë të parë personalisht vetëm të martën, gjatë një ceremonie të veçantë në nder të saj.

Statuja, e projektuar nga skulptori kolumbian Yino Márquez, është plot 7.3 metra e lartë dhe peshon gjashtë tonë. Ajo e paraqet aktoren me njërën dorë në bel dhe tjetrën të ngritur në një përshëndetje, e veshur me një fustan elegant dhe taka.

Gjatë ceremonisë, Vergara rikrijoi pozën e statujës dhe artisti i dhuroi një kopje të vogël të skulpturës. Aktorja, e njohur për rolin e saj në serialin Modern Family, u nderua gjithashtu me titullin “Distinguished Barranquillera”, një vlerësim që kryetari i bashkisë ua akordon qytetarëve të shquar.

Për këtë rast, 54-vjeçarja u shfaq me një fustan blu në stil korseje, me pjesën e sipërme transparente, ndërsa flokët brune i kishte lënë të lëshuar në onde. Ajo mbajti për pak çaste edhe “Turbani i Traditës”, një simbol i kulturës lokale që iu prezantua gjatë eventit.Kur statuja u zbulua për herë të parë verën e kaluar, Vergara shprehu emocionet e saj përmes një postimi në Instagram.

“Faleminderit, Barranquilla ime e bukur, për këtë dhuratë! Nuk e kisha imagjinuar kurrë që historia ime, puna ime dhe ëndrrat e mia do të linin një gjurmë kaq domethënëse në këtë tokë që e dua, e respektoj dhe për të cilën më merr malli kaq shumë”, shkruante ajo.

Aktorja shtoi se gjithçka që kishte arritur ia detyronte forcës, vullnetit dhe gëzimit që kishte marrë nga vendlindja e saj. Sipas saj, statuja nuk ishte vetëm një nderim personal, por edhe një dedikim për banorët e Barranquilla-s, familjen dhe miqtë që e kishin mbështetur gjithmonë.

Megjithatë, skulptura ka shkaktuar edhe reagime të ndara në rrjetet sociale. Disa përdorues komentuan se statuja nuk i ngjante shumë aktores, ndërsa të tjerë e krahasuan me statujën e Cristiano Ronaldos, duke thënë se versioni i Vergara-s ishte shumë më i realizuar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume