Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, së bashku me Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot kanë bërë vizitë pune në Spitalin klinik në Tetovë. Qëllimi i vizitës siç njoftojnë nga MSH, ishte hapja e repartit të Onkologjisë, si dhe promovimi i repartit të rinovuar të radiologjisë dhe sallës së konferencave.

Ministri Mexhiti theksoi se brenda institucionit deri më tani ka funksionuar vetëm klinika e Onkologjisë.

“Përveç përmirësimit të infrastrukturës, spitali është i pajisur edhe me dy aparate rentgeni dhe një mamografi me mundësi stereotaksi dhe densitometri, të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Mexhiti.

Ai theksoi se si ministër i Shëndetësisë dhe mjek shumëvjeçar, së bashku me ekipin janë fokusuar në përmirësimin e kushteve spitalore të pacientëve me dhoma krejtësisht të reja të pajisura dhe pajisje bashkëkohore mjekësore.

“Me këtë krijojmë kushte të përshtatshme edhe për punën e stafit shëndetësor, të cilët me përkushtimin dhe këmbënguljen e tyre ndër vite kanë treguar se janë plotësisht të përkushtuar në kujdesin dhe trajtimin e pacientëve. I shpreh mirënjohje drejtorit, dr. Ilir Demiri, për menaxhimin e shkëlqyer të objektit shëndetësor, për investimin në përmirësimin e kushteve të punës dhe qëndrimit në spital, si dhe për investimin në personelit mjekësor”, tha Mexhiti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume