“Humbja më e madhe në histori”, mediumet kroate me reagime të ashpra pas debaklit të pësuar nga Anglia
Kombëtarja e Kroacisë pësoi humbjen më të thellë në historinë e federatës. Reagimi ishte po aq drastik.
Humbjen 0-7 ndaj Anglisë të shtunën mbrëma në Ligën e Kombeve, gazeta e përditshme “Jutarnji List” e cilësoi si një “katastrofë të panatyrshme dhe të papranueshme”.
Ajo shtoi: “Jo vetëm që nuk i përkasim elitës, por jemi bërë San Marino! Ëndrrat për çerekfinale janë shuar, ndërsa zgjimi është më i dhimbshëm se pas 20 birrave”.
Edhe në pjesën tjetër të mediave kroate, atmosfera ishte po aq e zymtë.
“Kroacia e dëshpëruar pëson humbjen më të thellë në historinë e saj”, shkroi “Index Sport”.
“24Sata” e cilësoi si një “turp të madh!”, ndërsa “telegram.hr” e përshkroi si “një kolaps të paprecedentë dhe thellësisht poshtërues”.
Gazetat angleze, natyrisht, kishin një ton krejt tjetër.
“Anglia në qiellin e shtatë. Burra kundër djemve. Ishte lojë fëmijësh”, shkroi “Daily Mail”.
“The” Sun deklaroi: “Skuadra e Thomas Tuchel shkaktoi bujë me një nga paraqitjet më të mëdha si mysafir në historinë e kombëtares së Anglisë”.
Në Rijekë, skuadra e Tuchelit dominoi nga fillimi deri në fund, përballë 6 mijë fëmijëve dhe të rinjve.
UEFA kishte urdhëruar që ndeshja të zhvillohej me dyer të mbyllura pas sjelljes raciste të tifozëve kroatë vitin e kaluar.
Megjithatë, një rregull lejon hyrjen falas në stadium të fëmijëve deri në moshën 14-vjeçare, kështu që tribunat ishin sërish mjaft të mbushura.
Harry Kane (2 gola), Jude Bellingham (1 gol), Anthony Gordon (1 gol), Bukayo Saka (2 gola) dhe Morgan Rogers (1 gol) e udhëhoqën skuadrën e renditur të tretën në Kupën e Botës drejt një fitoreje spektakolare, e cila ishte plotësisht e merituar edhe për nga diferenca e rezultatit.
Trajneri i Kroacisë, Slaven Bilic, e cilësoi atë si “humbjen më të madhe të të gjitha kohërave” dhe u kërkoi falje të gjithëve.
“Më vjen keq. Jemi të zhgënjyer. Më vjen keq për tifozët, më vjen keq për fëmijët në tribuna. Më vjen keq për të gjithë tifozët kroatë. Sapo kam qenë me lojtarët, biseduam shkurtimisht dhe kjo është gjëja më e keqe për ne. Kurrë nuk do ta kishim pritur”, tha ish-futbollisti i Bundesligës dhe Premierligës.
Pas tri ndeshjesh, Kroacia ka tri pikë dhe renditet e treta në Grupin 3 të Ligës A të Ligës së Kombeve.
Spanja kryeson grupin me pikët maksimale, nëntë, e ndjekur nga Anglia me gjashtë. Çekia (zero) renditet e fundit.