Neurokirurgu Kita Sallabanda ka zbuluar rastin e shërimit të një 13-vjeçari që vuante nga kanceri i trurit, i cili është një rast i veçantë.

Komentet Sallabanda i bëri në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, ku tha se shërimi i 13-vjeçarit përmes një medikamenti nuk është zgjidhja definitive për këtë sëmundje.

Ai tha gjithashtu, se mjekësia ka përparuar shumë në trajtimin e disa llojeve të sëmundjeve, të cilat konsiderohen si vdekjeprurëse dhe të pashërueshme.

“Është një patologji jo e rrallë te fëmijët, por patologji shumë agresive. Në të njëjtën kohë me këtë fëmijë kanë qenë edhe 7 fëmijë të tjerë, të cilët janë futur në atë që quhet një kërkim shkencor, për përdorimin e një medikamenti.

Një medikament që merret nga goja për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Ne deri më tani e kemi trajtuar me radioterapi këtë sëmundje dhe kemi arritur ta ngadalësojmë, por jo ta shërojmë. Unë dua të jem realist, sepse jam specialist. A është kjo zgjidhja definitive e kësaj sëmundjeje? Jo, sepse nga 8 të sëmurët, vetëm ky djali është shëruar, të tjerët janë në fazën e shikimit të sëmundjes.

E dyta është pyetja nëse a do të kthehet kjo sëmundje pas 2-3 viteve. Mjekësia ka ndryshuar shumë, sepse po bëhen investime shumë të mëdha, sidomos në trajtimin e kancerit. Prandaj përdorimi i këtyre medikamenteve, neve po luftojmë shumë dhe kemi arritur rezultate të mëdha”, tha Sallabanda.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume