Një paketë e madhe ndihme amerikane me vlerë 95 miliardë dollarë pritet të kalojë sot pas muajsh grindje politike në Uashington.

Bëhet e ditur se paketa do të ndajë mbështetje për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Ndërsa pjesa më e madhe e fondeve janë të rezervuara për Ukrainën, një total prej 26.38 miliardë dollarësh do të ndahen për Izraelin dhe për të rimbursuar operacionet ushtarake të SHBA-së.

Siç raportohet, rreth 5.2 miliardë dollarë do të shkojnë për rimbushjen dhe zgjerimin e sistemit të mbrojtjes raketore të Izraelit, me 3.5 miliardë dollarë për blerjen e sistemeve të avancuara të armëve, shkruan skynews.

Një tjetër miliard do të përdoret për prodhimin e armëve dhe 4.4 miliardë të tjerë për të rritur furnizimet dhe shërbimet e tjera që i ofrohen Izraelit.

Gjithashtu, projektligji përmban edhe 9.1 miliardë dollarë për nevoja humanitare.

Ndryshe, dje shefi i OKB-së, Antonio Guterres, tha se angazhimet e Izraelit për të përmirësuar dërgimin e ndihmave në Gazë kanë qenë të kufizuara e ndonjëherë nuk kanë rezultuar efektive fare.

“Për të shmangur urinë dhe vdekjet e mëtejshme të parandalueshme, ne kemi nevojë për një hap të madh në ndihma humanitare për palestinezët në Gazë”, tha Guterres.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume