Hapja e Urës së Ibrit është bërë temë diskutimi së fundmi në vend.

Lidhur me këtë janë deklaruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, zëdhënësja Ioanna Lachana tha se çdo vendim lidhur me urën në fjalë duhet të bëhet në kuadër të dialogut në Bruksel .

Ajo deklaroi se hapja e urës është marrëveshje e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lachana.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë i ftoi palët që të zbatojnë çdo marrëveshje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, deklaroi Lachana.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe policia.

Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut Veton Elshani, i pyetur në lidhje me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit për trafik, tha për Klankosova.tv se “policia është e gatshme të zbatojë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës”.

Për këtë temë ka reaguar edhe Lista Serbe, duke thënë se hapja e urës duhet të bëhet në pajtim me serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume