Gjatë gjithë fushatë presidenciale drejtuesit e koalicionit “VLEN” flisnin për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe harruan partitë e tyre, tash po thërrasin zëshëm emrin e liderit nacionalist të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickovski.
Kështu thotë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se kjo çfarë për bën koalicioni “VLEN” është qesharake, duke nënvizuar se “vasaliteti është sëmundje e pashërueshme”.
“Bëhet fjalë për vasalë, e vasali është vasal pa marrë parasysh a i shërben ndonjë politikani shqiptar apo maqedonas, vasaliteti është sëmundje e pashërueshme duke nisur nga Taravari dhe gjithë shokët që i ka në kuadër të atij koalicioni”, shprehet Sela.
Ish-kryetari i Strugës që me partinë e tij vendosi t’i bashkohej koalicionit Fronit Evropian për zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 24 prill në Maqedoni të Veriut, ka folur edhe “për puqin” që ia bëri ish-bashkëpunëtori i tij ngushtë, Arben Taravari, meqë iu bashkua koalicionit “VLEN” si kandidat për president në RMV.
“Tani ka humbur me 40 mijë vota, ka 40 mijë herë arsyeje për t’u larguar nga skena politike. Populli i tregoj me votë që duhet t’i rikthehet profesionit të vet dhe uroj që këtë ta bëjë sa më shpejt, meqë si mjek është i mirë, si politikan jo”, potencoi ai.
Kur pyetet për koalicionin e mundshëm me VMRO-DPMN-së dhe koalicionit “VLEN”, ndonëse të njëjtit janë humbës të zgjedhjeve në kuptimin shqiptar, ish-deputeti Sela thotë se nëse shkelet legjitimiteti i shqiptarëve, “mund të ketë de-stabilitet”.
“Për mua skandaloze është aplaudimi dhe vetëkënaqja që krijon tek e ashtuquajtura opozitë shqiptare kjo deklaratë e Mickovskit, meqë kur këta që e përqafojnë këtë ide, sikur i thonë çdo shqiptari që asnjë vlerë nuk ka verdikti i juaj, asnjë vlerë nuk ka se si vendos ti, për sa kohë që për këta vendoska Hristjan Mickoski”, potencoi Sela.
Ndërkaq deklaratën e kandidates për presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana, Siljanovska-Davkovka, se do të propozojë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së në RMV, mjeku nga Sturga e sheh si prononcim për “politikë ditore”.
“Është një skandal nga zonja Siljanovska që po hap tema të cilat sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe stabilitetit të rajonit, duhet të jenë tema që i përkasin të kaluarës. Janë dy dokumente të rëndësishme, një Ligji për Amnisti që i dha fund konfliktit bashkë me Marrëveshjen e Ohrit”, shtoi.
Në këtë intervistë, themeluesi i Aleancës për Shqiptarët shprehet i bindur që në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, Fronit Evropian do të marrë më shumë vota se VLEN-i.
“Tani, natyrisht në zgjedhje parlamentare dalja e votuesve shqiptarë do të jetë më e madhe. Fronti Evropian minimumi do të ketë dyfishë e më tepër në raport me VLEN-in”, theksoi ai.