Partitë politike shqiptare po zhvillojnë sot aktivitetet e fundit, me të cilat edhe përmbyllin fushatën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Arbër Ademi nga Fronti Evropian, tha se, këto zgjedhje kanë një simbolikë të veçantë dhe tepër të rëndësishme – fitorja e agjendës evropiane ndaj asaj ruse, fitorja e së ardhmes më të mirë kundër tentimit për t’u rikthyer mbrapa para vitit 2001, siç u shpreh ai.

“Ne po ndërtojmë me vizion, ambicie, punë të palodhur dhe me këmbëngulje Maqedoninë për të gjitha gjeneratat, një Maqedoni për të gjitha etnitë, një Maqedoni evropiane dhe shumica e qytetarëve e dinë, e kuptojnë, e ndjejnë, prandaj edhe na votojnë”, tha Arbër Ademi.

Ndërkaq, Izet Mexhiti nga VLEN tha se, populli është përcaktuar për ndryshim dhe këtë e konfirmon edhe mobilizimi i diasporës që kanë ardhur në vend për të votuar, e që sipas Mexhiti, është në numër të konsiderueshëm.

“Fillimisht dua të falënderoj diasporën tonë që kanë ardhur nga të gjitha vendet e Evropës, nga Skandinavia, Gjermani, Zvicra, Italia, gjithandej nga janë, kanë lënë punët e tyre, familjet e tyre dhe janë afër 10 mijë të cilët kanë ardhur për ta vulosë ndryshimin”, tha Izet Mexhiti.

I pyetur se cilin nga kandidatët për president do të mbështesin votuesit e opozitës shqiptare, Mexhiti tha se qytetarët do të votojnë sipas bindjeve të tyre.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume