Kampionët në fuqi të “EURO-s”, Italia po vazhdon të mos impresionojë këtë edicion, pasi u mposhtën nga Spanja me shifrat 1-0.

Përpos kësaj, selektori i Italisë, Luciano Spalletti nuk është i kënaqur as me mesfushorin, Jorginho.

Jorginho mori ftesën për këtë kampionat, pas një sezoni mjaft të mirë me Arsenalin.

Mesfushori ishte pjesë kryesore e Italisë në triumfin në “EURO 2020”, gjersa e njëjta gjë pritej nga ai edhe këtë edicion.

Megjithatë, performancat e tij kanë lënë për të dëshiruar, derisa Spalletti u pa i nervozuar me të gjatë ndeshjes me Spanjën, para se ta zëvendësonte atë pas pjesës së parë.

Sipas “Sky Sport Italia”, selektori italian ishte i zemëruar me Jorginhon me paraqitjen e tij në pjesën e parë, derisa kishte thënë: “Ai duhet të vrapojë dhe ta marrë topin, përndryshe s’kemi pse e fusim në lojë”.

Pavarësisht se e dominoi tërë lojën, “Stuhia e Kuqe” fitoi ndeshjen me rezultat minimal prej 1-0, pas një autogoli të Ricardo Calafiorit.

“Azzurët” po ashtu patën ndeshje të vështirë edhe me Shqipërinë në xhiron e parë, madje duke pësuar në minutën e parë të ndeshjes.

Italia do të luajë ndaj Kroacisë në ndeshjen e fundit të grupit, dhe me vetëm një pikë do të kualifikoheshin në fazën eliminuese të turneut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume