Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke thënë se pa të nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, pa politikën e tij afruese me aleatët, nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.

Në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Rama ka thënë se “po flas sot mbi njeriun që e ka shënjuar historinë e shqiptarëve”.

“Në përvojën e tij që e krijonte përmes adresimeve të shumta, lind edhe një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm dhe pikërisht nga këmbëngulja gërryese e përroit që rrodhi urtësisht u bë e mundur edhe hapja e shtratit ku mori jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe sot është e qartë se kurrë se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte pasur UÇK”, ka deklaruar Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare, ka theksuar se s’ka politikan tjetër si Rugova.

“Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, Rugova ka besuar verbërisht tek aleancat dhe aleatët.

Ai ka thënë se Rugova i dha Kosovës aleancën me ndërkombëtarët si pasuri natyrore që vendi i tij nuk e kishte.

“Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, Rugova ishte i vetmi në këtë vend që kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjate.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume