Në kuadër të fushatës verore “Për verë të sigurt”, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor prej disa vitesh po realizon aktivitete të përbashkëta me Agjencinë për Siguri në Komunikacion të Republikës së Serbisë, me moton “Vozit i çlodhur”. Fushata realizohet përgjatë Korridorit 10 në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, ku në këtë periudhë të verës është rritur numri i automjeteve nga të dyja vendet, por edhe nga jashtë, që kalojnë transit nëpër këtë korridor. Pikërisht për shkak të rritjes së frekuencës së automjeteve në komunikacion, zbatohen aktivitetet e fushatës “Vozit i çlodhur” me qëllim të përmirësimit të sigurisë në komunikacionin rrugor, si për pjesëmarrësit e Maqedonisë, ashtu edhe për ata të huaj në komunikacion, me ç’rast shoferët përkujtohen që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe mos ta neglizhojnë lodhjen, sepse është një nga shkaktarët më të mëdhenj të aksidenteve në komunikacion për shkak të temperaturave të larta dhe relacioneve të gjata që zakonisht udhëtojnë në periudhën e verës.
Prandaj, KRSKRR-ja realizon aktivitete nga fushata “Vozit i çlodhur” bashkë me Agjencinë për Siguri në Komunikacion të Republikës së Serbisë, Ministritë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Serbisë dhe Fakultetin e Sigurisë – Shkup.
Më 25 korrik në vendkalimin e integruar kufitar Preshevë-Tabanoc u realizuan aktivitete me karakter edukativo-parandalues, ku morën pjesë Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme të RMV-së, Ivica Daçiq, nënkryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Gordana Kozhuvarovska, kryetare e KRSKRR-së, Branko Stamatoviq, u.d. drejtor i Agjencisë për Siguri në Komunikacion të Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesit e tjerë nga institucionet relevante nga të dyja vendet.
Shoferët që kalojnë në VK Preshevë-Tabanoc u përkujtuan që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, t’u përshtaten kushteve të rrugës, të udhëtojnë të çlodhur, sepse aksidentet në komunikacion që janë rezultat i lodhjes shpeshherë përfundojnë me pasoja fatale. Shoferëve u ishin dhënë materiale edukative-parandaluese, ujë dhe pije joalkoolike, ndërsa kompania OKTA dhuroi vauçerë që shoferët mund t’i përdorin për t’u freskuar me kafe dhe pushim në pikën më të afërt të karburantit OKTA.

Gordana Kozhuvarovska, kryetare e KRSKRR-së, bëri thirrje: Shoferët duhet të jenë të çlodhur, mundësisht të udhëtojnë në mëngjes kur temperatura e ajrit është më e ulët, të bëjnë më shumë pauza, në çdo 2 orë të pushojnë të paktën 15 minuta, të konsumojnë më shumë ujë dhe pije joalkoolike, të vozitin me kujdes dhe të kujdesen për sigurinë e tyre dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.