Profesori në Universitetin Georgetown në Washingoton, Charles Kupchan, ka thënë se njohja e Kosovës është një histori e përfunduar, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, Kupchan është shprehur se pavarësisht se kush do të vijë në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk pret shumë nga Serbia.

“Sinqerisht, nuk shoh shumë ndryshim kur është komuniteti serb, kushdo që të bëhet president i SHBA-së”, ka thënë profesori Kupchan.

Megjithatë, Kupchan pret që Serbia të përballet me realitetin dhe sipas tij, kjo do të thotë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe fundi i flirtit me Rusinë.

“Unë besoj se Serbia me siguri do të vendosë t’i kthehet jetës reale më shpejt se më vonë, dhe kjo do të thotë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe fundi i flirtit me Rusinë. Mund të them me siguri se kjo do të ndodhë. Prandaj na duhet vetëm udhëheqje e guximshme në Beograd, aq sa nuk e kemi parë tani”, ka thënë ai.

Kupchan ka deklaruar se pas zgjedhjes së Bidenit, pati një angazhim të qëndrueshëm me Bashkimin Evropian, veçanërisht në përpjekjet për të avancuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të lehtësuar normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk pres që kjo të vihet në dyshim nëse Trump ose Kamala Harris fitojnë. Kështu që unë pres që përpjekjet do të vazhdojnë për të promovuar normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të ndihmuar në stabilizimin e Bosnjë-Hercegovinës dhe mbylljen efektive të bastioneve të mbetura ruse në rajon, përfshirë Serbinë”, ka thënë Kupchan.

Profesori thotë se Rusia vazhdon të kërkojë mundësi për të nxitur paqëndrueshmërinë në rajon. Qoftë Kosova, Serbia, Republika Serbe, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.