Mbrojtësi spanjoll, Aymeric Laporte, është ndarë i habitur me atë çfarë kanë treguar futbollistët e Anglisë në “Euro 2024”. Laporte të shtunën ka deklaruar se futbollistët e Anglisë janë shumë të mirë individualisht, por nuk i kanë treguar cilësitë e tyre në Evropianin “Gjermania 2024”.
“Kam parë Anglinë sepse kam ish-shokët e mi atje. Ne flasim herë pas here. Ajo që më befason është se sa të mirë janë ata individualisht dhe sa pak kanë treguar në këtë turne. Kundër Sllovakisë, ata shënuan në minutën e 94-t, por nuk ishin në gjendje të tregonin futboll të një niveli të lartë. Kur shihni Phil Foden, atë që ai bën gjithmonë në klubin e tij dhe në ekipin kombëtar, kur shihni Bukayo Sakan dhe Harry Kanen, këta janë lojtarë që janë shumë të vështirë për t’u mbuluar”, u shpreh Laporte, shkruan “The Guardian” të shtunën.
Mbrojtësi i Al-Nassrit ndër të tjera e ka cilësuar Kanen si futbollistin më të rrezikshëm te Anglia.
“Unë gjithmonë dua të luaj kundër më të mirëve për ta testuar veten. Në fund bëhet fjalë për konkurrencë. Nëse garoni kundër më të mirëve, jeni ndër më të mirët. Dhe ky është gjithmonë objektivi im. Kane nuk është sulmuesi tipik që vrapon pas teje dhe të bën shumë dëme në lëvizje, por e sheh mënyrën se si e mbron topin, sa efektiv është. Ai është i fortë, i mirë në ajër, shumë i rrezikshëm”, ka thënë 30-vjeçari.