Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Bruksel ka kërkuar nga BE-ja që të shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim, njoftoi zyra e tij.
Gjatë një drekë pune të organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për liderët nga Ballkani Perëndimor, Kurti tha se zgjerimi i BE-së “është përgjigja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës, veçanërisht pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Në këtë kontekst, Kurti bëri thirrje që të shqyrtohet kërkesa e Prishtinës dhe t’i jepet Kosovës statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai kërkoi gjithashtu heqjen e masave kufizuese që BE-ja i vendosi Prishtinës vitin e kaluar, për mos ndërmarrjen e hapave për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, duke i vlerësuar ato si “të padrejta”.
Kurti tha gjithashtu se Kosova ishte ndër të parat që i ka dorëzuar Brukselit propozimin për një agjendë reformuese në kuadër të Planit të Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar se në këtë mënyrë kanë treguar “përkushtim” ndaj asaj iniciative të Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Kosovës po ashtu konfirmoi mbështetjen e tij për Procesin e Berlinit, në prag të 10 vjetorit të fillimit të kësaj nisme, dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetit të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin, thuhet në deklaratë.