Futbollistët e Kombëtares së Kosovës kanë shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Lituanisë në ndeshjen e tretë të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” treguan lojë efikase në stadiumin “Dariaus Ir Gireno”, duke shënuar dy herë në portën kundërshtare për fitoren e dytë në grupin C2.

Në pjesën e parë Edon Zhegrova solli në epërsi “Dardanët” në minutën e 20-të, pas asistimit të Florent Musliut.

Kombëtarja jonë vazhdoi lojën e mirë edhe në 45 minutat e dyta duke thelluar epërsinë përmes Erion Krasniqit pas asistimit të Milot Rashicës në minutën e 65-të.

Një gabim i mbrojtjes dardane kushtoi me golin e shënuar nga Paulius Golubickas gjashtë minuta para përfundimit të ndeshjes.

Pas kësaj fitoreje, Kosova renditet e dyta në tabelë me gjashtë pikë, po aq sa edhe Rumania në vendin e parë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndeshjen e radhës “Dardanët” e zhvillojnë në “Fadil Vokrri” kundër Qipros, më 15 tetor, nga ora 20:45.

Dy ndeshjet e fundit të grupit Kosova i përmbyll kundër Rumaninë si mysafire më 15 nëntor dhe Lituanisë si vendës tri ditë më vonë, 18 nëntor.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume