Ndihma teknike e Thesarit të SHBA-së është e mirëseardhur dhe e dobishme në përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Ekspertët nga Thesari i SHBA-së punojnë në disa sektore në Ministrinë e Financave, Drejtorinë Doganore dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet MF-së dhe Zyrës së Ndihmës Teknike të MF-së së SHBA-së. Kjo u konstatua në takimin e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska me Luyen Tran zv.sekretare për ndihmë teknike në Thesarin e SHBA-së, Rebecca Gorin nga Zyra e Evropës dhe me ndihmësdrejtorët e involvuar në aktivitetet në vend.

“Sistemi dhe proceset ekzistuese të planifikimit të buxhetit janë zhvilluar me ndihmën teknike të MF-së së SHBA-së gjatë periudhës 2004-2008 dhe tani po punohet në përmirësimin e këtyre proceseve. Me ekspertët e Thesarit të SHBA-së po punohet në disa fusha dhe sektorë në MF. Punohet mbi hartimin e draftit të versioneve të dokumenteve kryesore të planifikimit dhe realizimit të buxhetit, që rezultojnë nga ligji i ri, respektivisht nga Ligji i Buxheteve. Përforcimi i mbikëqyrjes mbi sektorin financiar jobankar, duke përforcuar kapacitet e sektorit në kuadër të MF-së, si dhe duke përforcuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe edukimin financiar. Gjithashtu, ekspertët punojnë në fushën e menaxhimit të borxhit publik etj. E gjithë kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne që t’i avancojmë proceset përmes të cilave do të rritet efikasiteti në arkëtimin e të ardhurave në buxhet dhe menaxhimin e mjeteve të arkëtuara”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Ajo shtoi se, marrëveshja përfshin dhe zbaton aktivitete në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, ku po punohet në përforcimin e kapaciteteve, dixhitalizimin e proceseve, si dhe sigurinë kibernetike dhe luftën kundër krimit.

Gjatë takimit ministrja shprehu falënderim për përkrahjene që i jep SHBA-ja vendit tonë, me ç’rast u shpreh interes për vazhdimin e bashkëpunimit në nivel eskpertësh dhe përkrahjes teknike për përforcimin e mëtjshëm të sistemit të përgjithshëm të financave publike.

Ministrja e Financave takimin e zhvilloi gjatë vizitës së punës në SHBA, ku po merr pjesë gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ndërsa do të mbajë takime edhe me përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume