Situata në qytetin e Vlorës është drejt normalizimit.

Pas reshjeve të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme, intensiteti i reshjeve ka rënë dhe, si pasojë, edhe uji është tërhequr. Ministria e Mbrojtjes, në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm dhe AKMC, dërgoi sot në qytetin e Vlorës 28 forca, 8 mjete me kalueshmëri të lartë, 2 motopompa për heqjen e ujit, 1 gomone dhe 5 mjete transporti.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu. Ndërkohë, janë evakuuar 33 familje (55 persona), të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u diskutua për evidentimin e zonave të cilat kanë prezencë uji dhe kanë nevojë për ndërhyrje, menaxhimin e trafikut në qytet, furnizimin e pandërprerë me energji elektrike të hidrovoreve dhe stacioneve të pompimit, koordinimin dhe menaxhimin ndërmjet strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara, ndjekjen e situatës deri në normalizimin e plotë të saj, si dhe pastrimin e kanaleve të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve.

Nuk parashikohen reshje me intensitet të madh gjatë orëve në vijim, por Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të monitorojë situatën në terren për t’i ardhur në ndihmë Bashkisë së Vlorës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume