Frymëmarrje, rëndim në gjoks, kollë të thatë janë disa nga ankesat ndaj të cilave reagojnë qytetarët e të gjitha qyteteve, ku ndotja e ajrit është më e lartë, por në veçanti kumanovarët. Punonjësit shëndetësorë konfirmojnë një fluks të pacientëve, veçanërisht që kur filloi ngrohja dhe rritja e ndotjes së ajrit.

Organet e frymëmarrjes sipas tyre janë më të prekurat, por ajri i ndotur prek të gjithë sistemin respirator. Problemi më i madh janë të sëmurët kronikë dhe fëmijët me imunitet më të dobët.

“Vijnë me kollë të thatë për një muaj dhe nuk kanë gjetje në mushkëri, por kolliten. Më të këqijat janë grimcat PM 2.5 që hyjnë thellë në alveola, në eritrocitet e njerëzve. Zvogëlojnë kapacitetin e mushkërive, dëmtojnë zemrën, bie niveli i oksigjenit, ndiejmë vështirësi gjatë ecjes.”, – deklaroi kryetari i Mjekëve Amë, Fatmir Asani.

Tek disa pacientë paraqitet edhe pneumonia, ndërsa qytetarët konfirmojnë se ajri i ndotur po ndjehet. Ato tregojnë një erë të pakëndshme dhe tym, veçanërisht në mbrëmje.

Ndryshe Kumanova është një nga qytetet me ndotjen më të lartë të ajrit. Stacionet matëse të instaluara në disa lokacione të ndryshme, që nga fillimi i sezonit të ngrohjes tregojnë parametra të ngritur të grimcave negative.

Qyteti ndan mjete për disa masa, por deri më tani nuk ka rezultate të rëndësishme. Ndër to janë pyllëzimi dhe gazifikimi.

Hulumtimet kanë treguar se familjet dhe trafiku janë ndotësit më të mëdhenj. Analizat kanë treguar se ndotja kulmin e saj e ka arritur në periudhën dhjetor dhe janar.

Edhe në Shkup gjendja është alarmante, në mëngjesin e së martës ishte radhitur si qyteti i tetë në botë për nga ndotja. Qytetarët thonë se Shkupi po mbytet në ajër të ndotur. Në listën e 10 qyteteve më të ndotura janë edhe Sarajeva dhe Beogradi. Analizat thonë se çdo vit nga ajri i ndotur vdesin gati katër mijë banorë.

Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) tregojnë se ndotja e ajrit vret rreth shtatë milionë njerëz në mbarë botën çdo vit.