Ekspertë të Komisionit Parlamentar për hetimin e menaxhimit të stafit diplomatik u përballën e plot befasi kur pranuan 1202 faqe të dokumenteve nga Ministria e Jashtme.

Ata nuk po dinin se çka të hetonin përpara.

Pasi i hapën ato, e kuptuan se MPJD nuk i dha krejt dokumentet e nevojshme. U fshehën nga hetimi sidomos ato që lidheshin me mënyrën e emërimit të zyrtarëve nëpër pozita udhëheqëse ose si ushtrues detyre, raporton Klan Kosova.

E në raportin që e morën nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbyesit civilë, gjetën që transferet me diplomatë u bënë nga zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, që është jokompetent për diçka të tillë.

Për ata që u transferuan, nuk u tregua nëse janë të arsimuar e me përgatitje profesionale për atë vend pune.

Mbyllje hermetike, Ministria zgjodhi të bëjë për të punësuarit me kontratë mbi vepër.

MPJD heshti edhe për kërkesën e ekspertëve në lidhje me pagat e diplomatëve, që rrjedhimisht, nuk u hetuan. S’u dha asnjë informatë as rreth 6 vendimeve për emërimin e këshilltarëve të jashtëm sikur që nuk u kallëzua kush nga këta ku është tashti.

Krejt pak u tregua për menaxhimin me stafin diplomatik, pasi Ministria e dha dosjen veç për shkëputjen e kontratës së punës dikujt, që shërbeu në Panama.

Nuk u zbardh gjë as për konkursin e 2011, ndonëse ministrja Donika Gërvalla i kishte shkarkuar 10 zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm, të cilët, sipas saj ishin punësuar atëherë pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit.

Jo pak emra u përmenden edhe kur erdhi puna te komisioni i gradimit. Për dikë u tha se nuk avancoi duke kaluar nëpër këtë trupë. Ndonjë tjetër nuk mori fare përgjigje për gradim.

Këto të dhëna nga Raporti i Ekspertëve të komisionit hetimor, të cilin e ka siguruar televizioni Klan Kosova, por edhe dokumente tjera, janë dorëzuar të premten në Prokurorinë Speciale nga deputetë opozitarë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume