Një gjysmë minare, e shkarravitur brenda dhe e dëmtuar thuajse tërësisht, xhamia Koxha Mehmet Bej, pranë autostradës në Tabanoc, ka mbijetuar më shumë se gjashtë shekuj e gjysmë.
Vetëm gurët e mbetur të xhamisë, sot mund të dëshmojnë për lutjet dhe historinë që dikur u zhvillua në këtë vend.
“Në xhaminë Koxha Mehmet Bej në Tabanoc të Kumanovës, nuk është thirre ezani mbi një shekull e gjysmë. Thuhet se kjo xhami daton që nga viti 1380 dhe thuhet se është njëra ndër xhamitë më të vjetra në Maqedoninë e Veriut.” – Avni Tahiri – Gazetar
Edhe pse mbart në vete një histori të pasur, për një kohë të gjatë ky monument ishte lënë në harresë nga institucionet. Së fundmi, kanë nisur aktivitetet për t’i rikthyer këtij monumenti historik dhe kulturor shkëlqimin e merituar. Autoritetet synojnë që këtë xhami ta rikthejnë së shpejti në funksion.
“Të them të drejtën për 150 vite në këtë xhami nuk është investuar dhe vetëm është dëmtuar dhe siç e shihni është në gjendjen e tanishme e cila është tani.” Deklaroi Abedin Imeri, nga Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame të Kumanovës.
Abedin imeri shton se muftinia e Kumanovës, në vitin 2008 në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës ka arritur që këtë objekt fetar ta vendos nën mbrojtje ligjore të shtetit dhe ministrisë së kulturës, ndërsa tani kanë filluar me pastrimin e oborrit të xhamisë.
“Me leje të drejtorisë dhe Ministrisë së Kulturës na dhanë leje që të mund të vazhdojmë me punime në pjesën e jashtme të xhamisë. Ne si muftini morëm hapa pas vizitës së kësaj drejtorie dhe u pastrua oborri pasi kjo xhami ishte e mbuluar me pemë të ndryshme dhe katër a pesë ditë punuam këtu dhe siç e shihni mori pamje tjetër.” – Abedin Imeri – Nga Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame të Kumanovës
Xhamia Koxha Mehmet Bej është në fshatin Tabanocë të Kumanovës, pranë kufirit me Serbinë dhe në një zonë që historikisht ka qenë pjesë e një rruge të rëndësishme komunikimi ndërmjet viseve të Ballkanit. Përreth saj janë evidentuar edhe gjurmë të objekteve të periudhës osmane, përfshirë hane dhe struktura të tjera që lidhen me këtë rrugë të vjetër.