Protestat kanë shpërthyer në Izrael pasi kryeministri Benjamin Netanyahu shkarkoi nga detyra ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, sipas BBC.
Netanyahu tha se një “krizë besimi” midis dy liderëve çoi në vendimin e tij, duke shtuar se besimi i tij ndaj Gallant ishte “gërryer” muajt e fundit dhe se ministri i Jashtëm Israel Katz do ta zëvendësonte atë.
Gallant tha se largimi i tij ishte për shkak të mosmarrëveshjeve për tre çështje, duke përfshirë besimin e tij se – ekzistonte mundësia e kthimit të pengjeve të mbetura në Gazë nëse Izraeli bënte “lëshime të dhimbshme” të cilat “mund t’i duronte”.
Shumë protestues kane bere thirrje për dorëheqjen e Netanyahut – duke kërkuar që ministri i ri i Mbrojtjes t’i jepte përparësi marrëveshjes së pengjeve.
Netanyahu dhe Gallant kanë pasur prej kohësh një marrëdhënie përçarëse.
Ish-ministri i Mbrojtjes ka qenë gjithashtu i pakënaqur me planet për të vazhduar me përjashtimin e qytetarëve ultra ortodoksë të Izraelit nga shërbimi në ushtri.
Disa muaj përpara fillimit të luftës në Gazë në tetor 2023, Netanyahu e pushoi Gallant për mosmarrëveshjet politike, përpara se ta rivendoste në post pas protestave të mëdha publike.
“Në mes të një lufte, më shumë se kurrë, kërkohet besim i plotë midis kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”, tha dje Netanyahu.
Ai tha se edhe pse ka pasur besim dhe “punë të frytshme” në muajt e parë të luftës, gjatë muajve të fundit ky besim ishte zbehur.